"Koalicioni i shqiptarëve të bashkuar" nuk do të ndryshojë flamurin (foto)
Në Bujanoc ka vazhduar fushatat parazgjedhore për zgjedhjet në Këshillin Kombëtar Shqiptar me paraqitjen e “Koalicionit të shqiptarëve të Bashkuar”.
Tre drejtuesit e partive politike, përbërëse të këtij koalicioni: Ragmi Mustafa nga Partia Demokratike Shqiptare(PDSH), Jonuz Musliu nga Lëvizja e Progresit Demokratik (LPD) dhe Ramiz Latifi prej Rilindjes Demokratike (RD), shpalosën planet e tyre rreth punës në KKSH, në rast se fitojnë shumicën e nevojshme.
Liderët, ndër të tjera këmbëngulën se simboli kombëtar, flamuri me shqiponjën dykrenore, nuk do të ndryshojë.
Mustafa tha se “kur njëmbëdhjetë djelmoshat arritën ta mbrojnë simbolin kombëtar në Beograd, ne me 100 mijë shqiptarë në Luginë nuk do të lejojmë ndryshim në këtë flamurë kuq e zi”.
Lideri i LPD-së, njëherit bartësi dhe kandidati i këtij koalicioni për kryetar të Këshillit Kombëtar Shqiptar, Jonuz Musliu, nënvizoi se ky flamurë u mbrojt gjatë periudhës më të vështirë dhe askush nuk arriti ta ndryshojë ate, duke theksuar se luftërat në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Luginë u bënë nën hijen e flamurit me shqiponjë dykrenore.
“Gjatë kohës së monizmit shqiponjës iu vendosë një yll mbi kokë, por ajo nuk e duroi ate”, u shpreh para simpatizantëve Ramiz Latifi, raporton Titulli.
Përveç problemit me kërkesën e institucioneve shtetërore për ndryshim në flamurin kombëtar, në mënyrë që të lejohet përdorimi zyrtar i tij në Luginë, “Koalicioni i shqiptarëve të bashkuar” nuk pranon që të bëhen ndryshime edhe në Abetare, duke heqë simbolin kombëtar, si dhe ndryshime tjera.
“Për nxënësit shqiptarë në Luginë të Preshevës nga arsimi fillor dhe ai i mesëm, do të kërkojmë t’i mundësohet përdorimi i teksteve mësimore që botohen në Prishtinë ose në Tiranë. Në asnjë mënyrë tekstet mësimore që botohen dhe ribotohen ose riprodukohen në shtëpitë botuese të Beogradit, e që përkthehen në formë të bastarduar për çështje honorarësh apo të ngjashme”, u shpreh Mustafa.
“Ne jemi shqiptarë si ata në Tiranë, Prishtinë, në Preshevë apo në Bujanoc. Abetarja është një, siç mësojnë fillestarët në Tiranë e Prishtinë duhet të mësojnë edhe ata në Luginë”, u shpreh Musliu.
“Koalicioni i shqiptarëve të bashkuar” beson në fitore, ndërsa premton marrjen më seriozisht me katër fushat në të cilat ka kompetenca Këshilli Kombëtar Shqiptar./Titulli.com/